Java e 26-të, Skënderbeu pret Luftëtarin. Të hënën Partizani-Flamurtari

17/03/2018 17:11

Kategoria Superiore do të luajë ndeshjet e javës së 26-të ditën e diel dhe të hënë. Në Korçë, skuadra që kryeson kampionatin Skënderbeu do të presë Luftëtarin me korçarët që do të kërkojnë të marrin 3 pikët e tyre të radhës ndaj një skuadre që prej javësh po shfaqet në një formë të shkëlqyer dhe këtë e tregon fitorja e javës së kaluar ndaj Kukësit.

Në Lushnjë do të zhvillohet ndeshja mes skuadrave të vendeve të fundit të tabelës, Lushnjës dhe Teutës. Durrsakët kërkojnë mbijetesën në Superiore dhe do të përpiqen të marrin maksimumin ndaj Lushnjës që është me një këmbë në Kategorinë e Parë duke qenë se ka mbetur në kuotën e 10 pikëve pas 25 javëve.

Sfidë mjaft interesante është edhe ajo që do të luhet në Kurbin mes skuadrës së Laçit dhe Kamzës, dy skuadra që ndahen nga vetëm 5 pikë dhe që kërkojnë zonën evropiane

Ditën e hënë do të luhen edhe ndeshjet më të rëndësishme të kësaj jave të Kategorisë Superiore.

Në “Selman Stërmasi” Partizani do të presë Flamurtarin. Të Kuqtë do të kërkojnë të shfrytëzojnë momentin jo pozitiv të skuadrës vlonjate që prej 4 javësh nuk njeh fitore, ndërkohe që Flamurtari do të tentojë të marrë 3 pikë që do t’u shërbejë për të ngritur moralin.

Në Zeqir Ymeri, Kukësi do të luajë ndaj Vllaznisë me shkodranët që ashtu si Teuta lufton për mbijetesë. Skuadra e Pakult dëshiron të lërë pas krahëve humbjen e pësuar ndaj Luftëtarit dhe të marrë pikët që do t’i japin më shumë siguri për mbajtjen e vendit të dytë.

Top Channel