Gjiknuri në impiantin e djegies së mbetjeve: I jep zgjidhje problemeve me mbetjet

17/03/2018 14:49

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri inspektoi impiantin e djegies së mbetjeve me prodhim energjie në Qarkun e Elbasanit. Ai tha se ky investim i ka dhënë zgjidhje problemeve me mbetjet në këtë qytet.

“Do të ishte mirë që kushdo që do të ishte i interesuar të vinte e ta vizitonte këtë impiant, ta shikonte me sytë e tij që nuk ka as emetime dhe gjithçka këtu është brenda një procesi teknologjik të mbyllur pa probleme për mjedisin. Pra, le të themi është fjala e fundit e teknologjisë, një zgjidhje jashtëzakonisht e mirë për trajtimin e mbetjeve në Shqipëri”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Aktualisht, në këtë impiant depozitojnë mbetjet e tyre urbane pa pagesë Bashkia e Elbasanit, ajo e Cërrikut dhe disa njësi administrative në Qarkut. Kapaciteti i impiantit është më i madh dhe është llogaritur të mbulojë mbetjet e të gjitha bashkive të Qarkut Elbasan. Një i tillë impiant është duke u ndërtuar në Bashkinë e Fierit ndërsa edhe kryeqyteti do të ketë një impiant për të trajtuar mbetjet e veta urbane.

“Shumë shpejt edhe Tirana po avancon me procesin e saj, e cila është një kontratë krejt tjetër pasi është një kontratë e marrë përsipër plotësisht nga partneri privat ku bashkia paguan një kontribut financiar për volumin e mbetjeve që depozitohen aty”, vijoi ai.

Top Channel