Turneu Masters i Indian Wells ka mësuar emrat e 4 gjysmëfinalistëve të tij.

Kampioni në fuqi i këtij evenimenti, Roger Federer qe ende nuk ka pësuar humbje për 2018, eliminoi në çerekfinale talentin koreanojugor Hyeon Chung me rezultatin 2-0.

Zviceranit iu deshën 1 orë e 22 minuta lojë për të fituar këtë përballje me Chung duke i mbyllur të dy setet 7-5;6-1. Në gjysmëfinale Roger Federer do të luajë kundër Borna Coric. Tenisti kroat eliminoi në çerekfinale Kevin Anderson teksa e mposhti me rezultatin 2-1. Anderson fitoi setin e parë 6-2, por Coric përmbysi gjithçka në këtë ndeshje teksa fitoi dy setet e tjerë 6-4;7-6.

Siguroi një vend mes 4 më të mirëve të Indian Wells edhe Juan Martin del Potro. Tenisti argjentinasi vuajti shumë në ndeshjen me Kohlschreiber të cilin e mundi me rezultatin 2-1 pas 2 orë e 8 minutash lojë.

De Potro e humbi setin e parë kundrejt tenistit gjerman 3-6, por arriti të fitojë dy të tjerët 6-3 dhe 6-4. Përballë Del Potros në gjysmëfinale do të jetë Milos Raonic.

Kanadezi mundi në çerekfinale amerikanin Sam Querrey 2-1. Raonic fitoi setin e parë 7-5, por Querrey u kundërpërgjigj në të dytin që e mbylli 6-2. Në setin final, Raonic u shfaq më mirë duke e mbyllur këtë fraksion 6-3 dhe krejt ndeshjen 2-1.

Top Channel