Shkarkimi i McMaster, Shtëpia e Bardhë përgënjeshtron prestigjiozet amerikane

16/03/2018 14:52

Përmes një mesazhi në “Twitter” të zëdhënëses Sarah Huckabee Sanders, Shtëpia e Bardhë i mohoi raportet e dy prej medieve më prestigjioze amerikane, “Washington Post” dhe “CNN” se Donald Trump planifikon ta zgjerojë valën e shkarkimeve të bujshme me largimin e këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, H.R. McMaster.

“Washington Post” shkruante se presidenti po përpiqet të gjejë një zëvendësues të gjeneralit përpara takimeve me Korenë e Veriut në muajin maj. Dy ishin – sipas gazetës, – emrat e lakuar si kandidatët më të fortë për të zënë vendin e tij: John Bolton, ish-ambasador në OKB, dhe Keith Kellogg, shefi i tanishëm i personelit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Lajmi u konfirmua më pas edhe nga rrjeti CNN.

Zëdhënësja Sanders, megjithatë, shkruan se Trump dhe gjenerali McMaster kanë një marrëdhënie të mirë pune dhe se nuk ka lëvizje në këtë këshill, edhe pse ishte ajo vet që njoftoi më herët të enjten se në çdo moment mund të ndodhin ndryshime.

“Me kalimin e kohës, në çdo administratë ka ndryshime të përparësive, për realizimin e të cilave duhet përqëndrim dhe njerëz të ndryshëm. Prandaj, herë pas here mund të ketë ndryshime. Megjthatë, presidenti është i angazhuar të sigurojë njerëzit e duhur, në vendin e duhur, në kohën e duhur”, ishte komenti i saj.

Nëse njoftimi do të rezultonte i vërtetë, McMaster do të bëhej këshilltari i dytë i Sigurisë Kombëtare që do të largohej nga puna, që kur Trump mori detyrën 20 janarin e vitit të kaluar.

Top Channel