Loja e spiunazhit rus, ndikim edhe në Botërorin e kësaj vere

16/03/2018 13:16

Mungojnë më pak se 3 muaj nga kompeticioni më i rëndësishëm i futbollit në harkun e 4 viteve, por kandidatura fituese e Rusisë për Botërorin e kësaj vere është e destinuar të shoqërohet me polemika, që nga caktimi i turneut e deri në përfundim.

Lojërat e spiunazhit dhe akuzat e ndërsjella, që kanë provokuar edhe vrasje të dyshimta në Britaninë e Madhe, kanë sjellë krizë diplomatike mes dy vendeve, e kjo reflektohet edhe në futboll.

Helmimi me agjent nervor i një agjenti rus, për britanikët ka vetëm një fajtor: Rusinë! Aq sa të mendojnë edhe bojkotin e Botërorit të futbollit. Anglia është në grupin G të fazës finale, së bashku me Belgjikën, Panamanë dhe Tunizinë, por edhe pse në dukje duket e vakët, ideja për bojkot mund të marrë formë në varësi të situatës.

Ishullorët po mendojnë më shumë një bojkot institucional sesa sportiv, por trajneri Gareth Southgate tha se do t’i japë leje cilitdo futbollisti që të refuzojë grumbullimin për në Rusi.

“Nuk e quaj një çështje të mbyllur faktin që të gjithë do të jenë në Botëror. Unë nuk kam dyshime se pjesëmarrja është gjëja më e drejtë, por ka çështje që janë jashtë kontrollit tim. Po përgatitemi për turnen, por më shumë rëndësi ka siguria e stafit, lojtarëve dhe tifozëve”, tha trajneri i Anglisë.

Top Channel