Masa e ndihmës ekonomike që shteti jep për familjeve të varfra është rritur më pak se kostoja e jetesës duke përkeqësuar gjendjen e tyre në tre vitet e fundit.

Të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se pagesa që merr një familje me ndihmë të plotë ekonomike për periudhën 2014-2017 është rritur vetëm me 2.3 për qind, nga 4430 lekë në muaj që ishte, në 4538 lekë në muaj .

Por për të njëtën periudhë, po sipas Instat, çmimet, të matura sipas treguesit të inflacionit, janë shtrenjtuar me 5.2 për qind. Kjo do të thotë se familjet me ndihmë të plotë ekonomike marrin realisht më pak ndihmë nga shteti se sa tre vjet më parë, pasi për shkak të rritjes së çmimeve me ato para mund të blejnë më pak ushqime apo veshje në treg.

Por situata është përkeqësuar edhe më shumë për familjet me ndihmë të pjesshme ekonomike. Sipas Instat ndihma e pjesshme ekonomike është ulur 3927 lekë në muaj që ishte në fund të vitit 2014 në më pak se 3800 lekë në muaj vitin e kaluar, duke rënë me 3.3 për qind. Për shkak se për të njëjtën periudhë çmimet janë rritur me 5.2 për qind, ndihma reale për këto familje është përkeqësuar me 8.5 për qind.

Dy muajt e fundit skema e ndihmës ekonomike është shndërruar në një nga çështjet kryesore të debatit politik në vend. Opozita akuzon Qeverinë se ka nxjerr nga skema rreth 30 mijë familje të varfra në të gjithë vendin, për të kursyer para, ndërkohë që shpenzon miliona euro për luksin e zyrtarëve.

Por sipas qeverisë, reforma e skemës synon të nxjerrë nga ndihma ekonomike familjet që nuk e meritojnë atë, me qëllim që të rritet mbështetja për ato familje që janë vërtetë të varfra.

Top Channel