“E kam ndjekur Anglinë anembanë botës, por në Rusi… Është shumë e rrezikshme”

15/03/2018 12:05

Duke parë luftën për mbijetesë të Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia, është e pavend të thuash se pësimi i ndonjë “dëmi anësor” nga ana e tifozëve britanikë të futbollit gjatë Kupës së Botës së kësaj vere në Rusi përbën një shqetësim të vogël.

Nga Philip Cornwall (redaktor sportiv i The Guardian) – Mjafton të kujtojmë se disa mbështetës të ekipit kombëtar të Anglisë, gjatë Europianit 2016 në Francë u bënë subjekte të sulmeve të tmerrshme, përfshi edhe dëmtime jetike në tru në dy raste, nga huliganët rusë që morën një inkurajim që vështirë të fshihej, e ndoshta edhe trajnim ushtarak nga regjimi i Putinit.

Ka shumë arsye të qenësishme që të mos ndërmerret ky udhëtim drejt Rusisë, edhe për njerëz si mua që nuk kanë humbur asnjë kompeticion të rëndësishëm në Europë që prej vitit 1990. Me mijëra tifozë anglezë kanë shpenzuar shifra marramendëse dhe të pakompensueshme vetëm e vetëm që të mos mungojnë në Botërorin e kësaj vere, pavarësisht se mundësitë për mungesën e tyre në mbështetje të “Tre luanëve” në Kaliningrad, Volgograd e kudo tjetër po rriten ndjeshëm nga dita në ditë.

Kur huliganët rusë sulmuan britanikët përpara ndeshjes mes këtyre dy vendeve në Marsejë në vitin 2016, autoritetet franceze komentuan gjatë natyrën tejet të organizuar të atyre 150 agresorëve, disa prej të cilëve mbanin mburoja gome dhe doreza të ndryshme të arteve marciale.

Sigurisht, pati për fat të keq edhe shumë trazovaçë britanikë, por ka një dallim të madh mes disa personave të dehur (anglezë) nga njëra anë dhe rusëve të organizuar me shufra metalike dhe çekiçë që tentonin t’u dëmtonin tendinën e Akilit kundërshtarëve, në mënyrë që të mos kishin mundësi të largoheshin. E teksa huliganët anglezë u dënuan me të drejtë nga autoritetet britanike, përgjigjja ruse ishte shumë larg ndëshkueshmërisë.

Deputeti rus Igor Lebedev, një anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës ruse të Futbollit (RFU) shkroi në “Twitter” mbi ata huliganë që nisën sulmet brenda stadiumit në fund të ndeshjes së përfunduar në barazim 1-1. “Nuk shoh asgjë të gabuar në luftimet mes fansave. Përkundrazi, bravo djema! Vazhdoni kështu!”, shkruante ai.

Udhëheqësi më famëkeq i ekstremit të djathtë i huliganëve rusë, Alexander Shprygin u desh të deportohej dy herë, pasi ishte lejuar nga rusët që të rikthehej në Francë.

Trazirat nuk ishin diçka e papritur. Edhe pse unë ndoqa të trija ndeshjet e tjera të Anglisë në “Euro 2016”, sigurisht mungova në ndeshjen e luajtur në Marsejë, kryesisht për arsye sigurie. Anglia kishte luajtur për herë të fundit me Rusinë në tetor të vitit 2017, kur tifozët miq në Moskë u përzgjodhën në mënyrë të rastësishme. Miqtë e mi që shkuan atje raportojnë se u mbuluan nga një breshëri “raketash”. Edhe ndeshjet e tjera, ku luajnë klubet ruse, qofshin këto për kompeticione vendase apo europiane, shpesh shenjohen nga skena të tmerrshme dhune që ne nuk i kemi parë kurrë në Mbretërinë e Bashkuar.

Autoritetet ruse kanë thënë se kanë ushtruar kontrolle dhe kanë goditur huliganët në prag të Kupës së Botës, por duke parë se ata nuk i dënuan skenat në Marsejë, vështirë se mund t’i marrësh seriozisht këto pretendime.

Banda të organizuara gangsterësh kanë zhvilluar rregullisht beteja. Në shtator të vitit të kaluar, një tifoz i Spartakut të Moskës lëshoi një flakadan nga një distancë prej 60 metrash në drejtim të arbitrit, gjatë një ndeshjeje të Champions League me ekipin slloven të Mariborit. Në shkurt, huliganët e Spartakut u përleshën në rrugët e Bilbaos përpara një ndeshjeje të Europa League.

Racizmi atje është përhapur shumë dhe është kthyer në normë, e po aq të zakonshme janë bërë edhe koret ofensive dhe bananet që hidhen në fushat e lojës. E ndërsa klubet ruse janë sanksionuar vazhdimisht nga UEFA për racizëm në kompeticionet europiane, Federata ruse e Futbollit ka pezulluar lojtarët me ngjyrë për reagimet mes mërzisë për abuzimin ndaj tyre. Në muajin shkurt, Spartaku i Moskës hodhi në llogarinë zyrtare të “Twitter”-it një foto të lojtarit të tyre brazilian që stërvitej nën rrezet e diellit, me mbishkrimin shoqërues “Shikoni sesi çokollatat shkrihen nën diell”.

Sigurisht, vendimi për t’i dhënë Rusisë të drejtën e organizimit të Kupës së Botës është marrë nga FIFA, një trupë qeverisëse që është tronditur nga arrestimet dhe dënimet për korrupsion. Por, për sa kohë që kundërpërgjigjja ndaj aktiviteteve ruse – duke nisur nga ngjarja në Salisbury e deri te sulmet kibernetike, – të përshkallëzohet dramatikisht (mospjesëmarrja e Anglisë në “Rusi 2018” është kuotuar tashmë me koefiçentin 17, nga 51 që ishte pak kohë më parë) atëherë shumë tifozë britanikë do të shkojnë atje, duke rrezikuar përsëritjen e skenave që kemi parë në Marsejë.

Unë nuk do të jem, ose më e pakta me shumë mundësi jo! Një pjesë e imja mendon se nuk ia vlen të rrezikoj, e nga ana tjetër, nëse shkoj do të “falja” gabimin që zhvillimi i këtyre finaleve iu dha Rusisë, gjë që do të ishte si një mallkim.

Ende, edhe pas më shumë se 25 vitesh që e kam parë Anglinë të dështojë anembanë botës, e urrej faktin se mund të humbas një sukses të mundshëm. Nëse “Tre luanët” do të shkojnë në gjysmëfinale, atëherë do të marr avionin e do të shkoj me patjetër. Do të shkoj, edhe pse e di se nuk është vetëm ngjarja e Salisburyt, ajo që ngre dyshime për përshtatshmërinë e organizatorëve të Kupës së Botës 2018. Një tifoz i Manchester United që shkoi në Rostov për ndeshjen e Europa League, vitin e kaluar, u shokua kur pa të printuar në dhomën e tij të hotelit një manual se çfarë mund të bënte nëse merrej peng.

Duke organizuar një Kupë Bote në Rusi, FIFA ka marrë peng shpresat e mia, e sigurisht edhe ato të çdo tifozi futbolli në Angli.

Top Channel