Debat për varfërinë; Rama: E marrin më të varfrit. Basha: U penalizuan 75%

15/03/2018 22:06

Kuvendi debatoi për çështjen e ndihmës ekonomike. Opozita akuzon qeverinë se përjashtoi shumë familje të varfra nga skema, ndërsa kryeministri Rama tregoi shembujt e punësimeve. Ndërkohë të dhënat tregojnë se ndihma ekonomike që shteti i jep më të varfëve është rritur më pak se sa kostot e jetesës.

Në 10 vjetorin e tragjedisë së Gërdecit, i vetmi që foli në Parlament ishin Taulant Balla, që e cilësoi një krim të pandëshkuar, ndërsa në mbrëmje Erjon Braçe kërkoi qe te mbahej 1 minutë heshtje për viktimat.

Por gjate gjithe se enjtes Debati u fokusua te varfëria dhe skema e ndihmës ekonomike, për të cilën, kërkuan mocion me debat me Kryeministrin. Edi Rama, kur hoqi kufjet për të dalë në foltore, tha se po zbatonte një reformë të ish-qeverisë Berisha.

“Të hartuar nga Banka Botërore, bazuar mbi praktikat më të mira dhe aprovuar nga qeveria e asaj kohe që sot shfaqet me uniformën e një opozite jashtë kohës”, u shpreh Rama.

“Por një nga kriteret kryesore të kësaj reforme ishte transparenca e sistemit të pikëzimit. Pikërisht mbajtja sekret e kësaj skeme nag Rama që ka çuar në këtë masakër të vërtetë sociale”, u shpreh Basha.

Demokratët pretendojnë se rreth 30 mijë qytetarë janë hequr pa të drejtë nga kjo skemë, një pjesë të të cilëve Lulzim Basha i ka vizituar gjatë javëve të fundit.

Rama: Në njësinë administrative numër 2 ke takuar zonjën Burbuqe. Të njoftoj se ajo është përfshirë në skemën e ndihmës ekonomike me listën e miratuar nga Këshilli Bashkiak me fondin 6%.

Basha: Shpresa Arapi me 6 anëtarë të tjerë, 3 prej të cilëve të mitur, i është hequr ndihma ekonomike pas asnjë shpjegim. Me frigoriferin bosh, gjysmë thesi miell, asnjë të ardhur.

Rama:
Ke vizituar Spahi Koçi në Vorë. I është ofruar mundësi punësimi dhe sot është i punësuar.

Basha:
Pranvera Tetova, me të ëmën e paralizuar. Në kushte skandaloze. Nuk blen dot ilaçet.

Rama: Mos i përdor për të dalë në fotografi që të dukesh sikur u qan hallin të varfërve. Ndërkohë nga ana tjetër e di vetë çfarë halli ke.

Basha: Vetëm për të kundërshtuar liderin e opozitës përpiqesh t’u gjesh punë. Dije se je i dështuar.

Demokratët i kërkuan rikthimin në skemë të atyre që janë përjashtuar, ndërsa Kryeministri theksoi se askush nuk mund të vjedhë më bukën e të varfërve.

Top Channel