Pas shkarkimit, Tillerson jep paralajmërimin për kërcënimin rus

14/03/2018 10:52

Sekretari i shkarkuar amerikan i Shtetit, Rex Tillerson ka paralajmëruar për veprime dhe sjellje shqetësuese nga Rusia, në një deklaratë lamtumire pasi u shkarkua nga presidenti Donald Trump.

Ai nuk pati në fjalën e tij asnjë falënderim për Trumpin, apo ndonjë lëvdatë për politikat e tij.

Duke folur para gazetarëve në Departamentin e Shtetit, Tillerson tha se është punuar mirë për marrëdhënie më të lehtësuara me Kinën dhe për të vendosur nën frè programin e armëve bërthamore të Koresë së Veriut.

Por, ai paralajmëroi për Rusinë.

“Më shumë punë mbetet për t’u bërë për t’iu përgjigjur sjelljes shqetësuese dhe veprimeve të qeverisë ruse. Rusia duhet të vlerësojë me kujdes veprimet e saj, në interes të popullit rus, por edhe më gjerë. Nëse vazhdojnë në trajektoren aktuale, ata do të izolohen edhe më shumë, një situatë që nuk është në interes të askujt”, tha Tillerson.

Dukshëm i shqetësuar dhe i tronditur, Tillerson tha se ai ka folur me presidentin për të garantuar qartësi në ditët në vijim. Tillerson nuk do të largohet nga detyra deri më 31 mars, por zëvendësi i tij John Sulliban do të marrë përsipër drejtimin e Departamentit deri në konfirmimin e pasardhësit të tij.

Ish-shefi i “ExxonMobile” ka pasur një seri përplasjesh publike me Shtëpinë e Bardhë, pas emërimit në post vitin e shkuar. Trump e shkarkoi zyrtarisht Tillersonin përmes Twitterit, duke nominuar drejtorin e CIA-s, Mike Pompeo, si zëvendës të tij. Ai nominoi po ashtu Gina Haspelin si drejtoreshën e parë femër të CIA-s.

Top Channel