Lionel Messi në versionin e tij më të mirë kualifikon në çerekfinalet e Uefa Champions League, Barcelonën. Blaugranat janë skuadra e fundit që sigurojnë një biletë për në ruandin e 8-të më të mirave të këtij kompeticioni pas mposhtën 3-0 Chelsea-in, për meritë të yllit argjentinas.

Ishte Messi që i dhuroi atë barazim të çmuar 1-1 skuadrës së Ernesto Valverdes, 3 javë më parë në Stamford Bridge dhe ishte sërish Messi ai që bëri ligjin në Camp Nou me magjitë dhe shpikjet e tij.

Pa u mbushur ende 3 minuta lojë, Messi shtangu Courtois nga një pozicion i prirët duke finalizuar një aksion të bukur të Barcelonës. Në të 20-ën arriti më në fund të zhbllokohej edhe talenti Dembele që mposhti me një goditje të fortë Courtois pas një asisti perfekt të 5-herë fituesit të Topit të Artë, i cili rikuperoi vetë një top në mesfushë dhe më pas vallëzoi mes mbrojtësve të Bluve të Londrës për t’i servirur francezit golin e 2-0.

Në fundin e pjesës Chelsea pati disa mundësi të mira për të rihapur sfidën por Kante shpërdoroi përpara Ter Stegenit ndërsa Markos Alonso u ndal nga shtylla. Në momentin më të mirë të skuadrës së Contes në skenë u shfaq sërish Messi me argjentinasin që në minutën e 63-të, shënoi edhe golin e tretë duke vulosur kualifikimin e Barcelonës dhe kapitullimin e Chelsea-it. Miqtë në fund goditën traversën me Rudiger por pa mundur të gjejnë dot qoftë edhe një gol në këtë takim.

Top Channel