Helmimi i ish-agjentit, May kërkon takim urgjent të OKB-së

14/03/2018 13:08

Britania e Madhe ka kërkuar një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të diskutuar helmimin e ish-agjentit të dyfishtë në Salisbury.

Rusia nuk iu përmbajt një ultimatumi të kryeministres britanike, Theresa May, për të dhënë shpjegime sesi një agjenti nervor rus ishte përdorur për të helmuar Sergei Skripal dhe vajzën e tij.

Ajo ka gati një paketë masash ndëshkuese ndaj Rusisë, përfshirë edhe kërkesën për sanksione të reja, ndalim vizash dhe kontroll të rreptë të parave ruse në Britaninë e Madhe, të cilat do t’i bëjë publike në vijim.

Ajo do të kërkojë edhe krijimin e një koalicioni ndërkombëtar të përbërë nga BE-ja, NATO e madje edhe Kombet e Bashkuara, për të vendosur nën frè Rusinë.

Presidenti amerikan, Donald Trump mbështeti gjithashtu kryeministren May për strategjinë e saj të konfrontimit me Rusinë për helmimin e agjentit të dyfishtë Sergei Skripal, duke thënë se ai është në krah të Britanisë dhe se qeveria ruse duhet të japë përgjigje bindëse.

May ka marrë mbështetje të fuqishme edhe nga udhëheqësit kryesorë europianë dhe Organizata për Parandalimin e Armëve Kimike (OPCË), organi përgjegjës për kontrollin e tyre.

Paketa e masave, që May po përgatit, vjen pavarësisht paralajmërimeve nga Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ruse, se Britania nuk duhet të tentojë të frikësojë Moskën, duke rikujtuar një nga fjalimet e fundit të Vladimir Putinit, në të cilin ai prezantonte një varg armësh të reja bërthamore.

Top Channel