Mattis shpreson te fitorja në Afganistan: Synojmë pajtimin e talebanëve me qeverinë

13/03/2018 12:50

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis shprehu këtë të martë besimin e tij se fitorja në Afganistan është ende e mundshme, jo domosdoshmërisht në fushëbetejë, por në lehtësimin e pajtimit të talebanëve me qeverinë afgane.

Mattis foli vetëm pak pas mbërritjes së tij në Kabul, ku shqetësimet për sigurinë ishin tejet të larta, saqë reporterët që udhëtuan me të nuk u lejuan të publikonin lajmin, derisa delegacioni të transferohej nga Aeroporti i Kabulit për në selinë e koalicionit ushtarak të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Kjo është hera e parë në histori që vendoset një kufizim i tillë në mbulimin e aktiviteteve të shefit të Pentagonit.

Mattis tha se do të takohej me presidentin afgan Ashraf Ghani dhe me komandantët më të lartë amerikanë atje.

“Ne ende shohim dritë në fund të tunelit për një fitore në Afganistan – tha ai. – Jo më shumë një fitore ushtarake, pasi fitore do të ishte edhe pajtimi politik mes palëve këtu”. Me këtë iu referua talebanëve, të cilët kanë pasur mospajtime me qeverinë afgane gjatë viteve të fundit dhe kanë treguar shumë pak interes për të lëshuar kundrejt saj.

Mattis, një gjeneral marine në pension që ka drejtuar trupat amerikane në jug të Afganistanit gjatë javëve të para të luftës në vitin 2001, tha se duke i bërë talebanët të pajtohen në masë me qeverinë do të ishte një “urë lidhëse e stërgjatë”. Me këtë ka dashur të thotë se theksi është në bindjen e disa elementëve midis talebanëve pjesë-pjesë.

Ai e përshkroi këtë qasje të re si përpjekje për të filluar bindjen e atyre që janë të lodhur nga luftimet, në këtë luftë të gjatë prej mbi 16 vitesh.

Ai e përkufizoi fitoren në Afganistan si një marrëveshje politike mes talebanëve dhe qeverisë dhe ndërtimin e një ushtrie afgane të aftë për të siguruar në pjesën më të madhe vendin e saj. Në këtë aspekt, ai tha se Afganistani nuk duhet të jetë më “një objektiv i sulmeve ndërkombëtare”, siç ishte kur al-Qaeda e përdori vendin për të nisur sulmet vdekjeprurëse të 11 shtatorit 2001.

Top Channel