Dita e Verës, policia e Elbasanit në shërbim të përforcuar. Rrugët që bllokohen

13/03/2018 10:29

Elbasani është “kryeqyteti” i Ditës së Verës, dhe festimet kanë nisur prej disa ditësh duke kulmuar këtë të mërkurë. Policia e qarkut ka bërë të ditur masat që janë ndërmarrë për 14 mars si dhe rrugët që do të bllokohen.

Të gjitha shërbimet në Drejtorinë e Policisë Elbasan, prej të martës të kalojnë në shërbim të përforcuar për zhvillimin sa më normal të aktiviteteve festive, si dhe do të mbërrijnë dhe forcat e FNSH.

Policia Rrugore do të kontrollojë të gjitha akset me qëllim për të bërë të mundur qarkullimin normal të mjeteve gjatë zhvillimit të aktiviteteve. Në këtë plan masash do të angazhohen 321 forca policie nga Elbasani dhe FNSH Tiranë.

Rrugët që do të bllokhen në Elbasan:

1. Në orën 07:00 të datës 14.03.2018 deri në përfundim të aktivitetit të Karnavaleve do të bllokohet lëvizja në bulevardin “Aqif Pasha” nga Stadiumi deri tek 1 Maji dhe nuk do të lejohen parkimet e mjeteve nga “Rrethrrotullimi i luleve – Bashkia”

2. Nga stadiumi deri tek “Pallati i Sportit”, nuk do të lejohen parkimet apo qëndrimet e mjeteve.

3. Më datë 14.03.2018 mjetet e tonazhit të rëndë të evitojnë lëvizjen në aksin rrugor Elbasan – Librazhd.

Policia Rrugore krahas masave të marra për mbarëvajtjen e trafikut, do të ketë dhe një sërë masash për shtimin e kontrollit ndaj përdoruesve të rrugës, që drejtojnë automjetin në gjëndje të dehur, që tejkalojnë normat e shpejtësisë, që kryejnë parakalime të gabuara, etj.

Top Channel