“Vettingu”, shkarkimi i parë. Largohet Komisioneri Publik, Heral Saraçi

12/03/2018 16:48

Pas katër seancave dëgjimore, Heral Saraçi u shkarkua nga detyra e komisionerit publik, që e kishte veshur atë me statusin e gjyqtarit të lartë në procesin e Vettingut.

Vendimi i Komisionit të Posaçëm të Apelimit, konsiderohet i formës së prerë e për këtë arsye Saraçi i ka rrugët e mbyllura për t’u ankuar pranë autoriteteve brenda vendit. E vetmja gjykate tek e cila njeriu që mbajti për nëntë muaj detyrën e komisionerit publik, është gjykata e Strasburgut.

Gjyqtaret e komisionit të disiplinës Sokol Çomo, Albana Shtylla dhe Ardian Hajdari i dhanë të drejtë gjyqtares hetuese, e cila sipas rekomandimeve të ONM evidentoi disa shkelje nga komisioneri publik.

Natasha Mulaj këmbënguli se institucioni i komisionerit publik aktualisht gjendet pa rregullore dhe për këtë shkaktar është njëri nga dy komisoneret, Heral Saraçi.

Së bashku me Florian Ballhysën, Saraçi u votua në qershor 2017 si njeri nga dy komisionerët publikë, në institucionin që ka si detyrë gjatë procesit të Vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët të ankimojë vendimet e asaj që konsiderohet si shkalla e parë, pra të komisionit të pavarur të kualifikimit.

Megjithëse është e paqartë se si do të zëvendësohet Saraçi, llogaritet që në vendin e tij të ulët Dariel Sina, i cili në 17 qershor u votua si anëtar zëvendësues i komisionerit publik. Pyetja është po zëvendësuesin kush e zëvendëson?

Top Channel