Shpërthim në dyqanin e celularëve; dyshime se pronari përgatiste lëndë plasëse

12/03/2018 11:33

Një person i plagosur rëndë dhe dëme të shumta materiale është bilanci i një shpërthimi të ndodhur paraditen e kësaj të henë në një dyqan servis celularësh në rrugën “Qamil Guranjaku”, në Tiranë.

Personi i plagosur është pronari i dyqanit, Gentian Hoxha 34 vjeç, i cili ka marrë dëmtime të rënda dhe është transportuar për në spital.

Policia e mbërritur në vendngjarje konstatoi se lënda shpërthyese ka qenë brenda dyqanit dhe vala e goditjes ka qenë nga brenda jashtë.

Ekspertë të njësisë anti-eksploziv kanë përcaktuar se vatra e shpërthimit ka qenë në tavolinën e punës së 34-vjeçarit, fakt të cilin e ka njoftuar edhe policia në informacionin paraprak.

Për këtë arsye, policia është fokusuar në dy pista kryesore. Ose lënda eksplozive, lloji i të cilës dhe sasia ende nuk është përcaktuar, është vendosur në ndonjë celular që mund të jetë lënë për riparim, ose vetë i dëmtuari ka qenë duke përgatitur ndonjë eksploziv artizanal dhe i ka shpërthyer në dorë.

Paraprakisht policia nuk ka informacion për përfshirjen e të plagosurit Gentian Hoxha në ngjarje të mëparshme kriminale, ndërsa grupi i hetimit ka mbledhur në vendgjarje provat materiale, nga ato çfarë mbeten pas shpërthimit të fuqishëm.

Në këto rrethana, sqarimi i plotë i kësaj ngjarjeje mund të vijë nga dëshmia e vetë të plagosurit, i cili është nën mjekimin intensiv për shkak të plagëve që ka marrë në duar, këmbë dhe fytyrë.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel