Kryeministri vizitoi një sipërmarrje private, ku zbuloi për habinë e tij se nuk ishte fort etike të pyesje tjetrin për rrogën.

Rama: Ça pune bën këtu?

Punonjësja: Jam planifikuese.

Rama: Sa e ke rrogën?

Punonjësja: Duhet ta them me patjetër?

Rama: Po rroga është e deklaruar. Duhet ta thuash patjetër!

Punonjësja: Është çështje personale. Mund ta them privatisht.

Rama: Ta thonë përgjegjësit! 700 mijë? Aaa, prandaj nuk e tregon se e ka 700 mijë.

Eventi i dedikohej riaktivizimit në tregun e punës të atyre që më parë përfitonin ndihmë ekonomike. Rama replikoi me kreun e opozitës, që prej disa javësh e akuzon për nxjerrjen jashtë skemës të atyre që më shumë kanë nevojë për dorën e shtetit.
“Ka arritur në vite e vite të tëra të jepte edhe 6 mijë lek të vjetra, të cilën e shpërndanin ata që sot shkojnë shtëpi më shtëpi për të dalë në televizor me të varfërit e lënë pas dore për 20 e kusur vite me radhë. Ndihma ekonomike nuk është ndihmë afatgjatë. Të mpin! Të paralizon! Të çburrëron, kur i thonë shqip”, deklaroi Rama.

Kryeministri tregoi çfarë duhet të bëjnë të gjitha që kanë dalë nga skema e ndihmës ekonomike e që janë të aftë për punë.

“Kush del nga ndihma ekonomike dhe është i aftë për punë, del nga një situatë ku merrte mesatarisht 35 mijë lek të vjetra dhe ka menjëherë në dorë nga shteti, 55 mijë lek që të shkojë dhe të bëjë kurs profesional”, shtoi ai.

Drejtores së re të Zyrës Kombëtare të Punësimit i kërkoi që jo vetëm të presin e përcjellin njerëzit, por t’i mbështesin ata.

Top Channel