Projekti i Teatrit të ri Kombëtar, Rama: Pa kullë, trefishohet hapësira

12/03/2018 17:31

Godina ekzistuese e Teatrit Kombëtar do të shembet, duke i dhënë kështu fund një debati që nga shekulli i shkuar. Kryeministri Edi Rama e deklaroi këtë në takimin që u zhvilluar të hënën në COD, për prezantimin e projektit të ri të Teatrit Kombëtar, për të cilin theksoi se do të ndërtohet me formulën partneritet publik-privat.

“Ndërtesa do shembet dhe mbi gërmadhat e të shkuarës do ngrihet teatri i ri kombëtar. Kushtet e teatrit sot janë poshtëruese për artistët. Nuk do jetë teatër me kullë, por s’do kishte asnjë mëkat të ishte nën kullë, se njerëzit shkojnë të shohin teatër dhe jo kullë. Këtu nuk është historia se çfarë ka sipër, apo anash, pavarësisht se sipër do ketë hapësirë teatrale ne qiell të hapur dhe anash do ketë hapësirat e veta për artistët. Ne kemi bërë për teatrin aq sa pasur mundësi, por kemi bërë më shumë se të gjitha vitet e marra së bashku. Nga 3000 metra katror rrënoja do të kemi 9 mijë metra katror. Nga 1 sallë do të kemi 4 salla për shfaqje. Teatri është pjesë e një propozimi për një partneritet publik privat. Sipërmarrësi garanton projektin për teatrin e ri, por nuk vjen për të humbur”, u shpreh Rama.

Prezantimin e projektit e bëri vetë arkitekti danez Bjarke Ingels. Në këtë prezantim Ingels theksoi që teatri do të ketë gjashtë hapësira. Më i madhja me 600 vende, dy salla eksperimentale, një teatër veror me tarracë dhe një shesh të madh poshtë ndërtesës unike që sërish mund të përdoret për performanca. Sipërfaqja e re do të jetë 9200 m katrorë.

“Ideja tani është që të sigurohet një hapësirë e klasit botëror për shfaqe të ndryshme, ndërtesat ekzistuese nuk janë të afta për të akomoduar një teatër kombëtar”, u shpreh arkitekti Ingels.

Menjëherë pas prezantimit artistët u shprehën të paqartë për këtë projekt, duke mos pasur elementë teknikë, si për shembull përmasat e skenës.
Pas largimit te kamerave i vetmi që i foli auditorit, ishte aktori i mirënjohur Robert Ndrenika, i cili u shpreh kundër partneritetit publik-privat. Ai i kërkoi shtetit dhe ministrisë së kulturës që të presë më mirë se sa të ndërtojë këtë teatër, duke shprehur bindjen që shteti e ka gjithë mundësinë për ndërtimin e një teatri kombëtar.

Pas prezantimit të projektit të Teatrit të ri Kombëtar, kryeministri Rama theksoi se do të vijohet puna që projekti të realizohet brenda viti të ardhshëm.

“Ne do të avancojmë që projekti të realizohet brenda vitit të ardhshëm. Teatri do të jetë baza e projektit”, u shpreh Rama.

FOTO GALERI
2/14

Top Channel