Gropa dhe pluhur në rrugë; Banorët të shqetësuar për segmentin e lumit të Vlorës

12/03/2018 19:51

Prej një viti ka nisur punimet ndërtimi i aksit më të rëndësishëm, për 70 fshatra, ai i segmentit rrugor i Lumit të Vlorës, një investim i qeverisë Shqiptare dhe Fondit Kuvajtjan.

Segmenti i parë i këtij aksi është nga fshati Babicë deri në fshatin Gjormë me gjatësi 23 km. Edhe pse punimet kanë ecur me ritme të mira , ku 70% ka përfunduar, kjo rrugë vijon të jetë problem për banorët e këtyre fshatrave.

Kamera e Top Channel ishte në këtë rrugë ku ka parë nga afër ecurinë e punimeve. Siç duket dhe nga pamjet rruga ka mbaruar me mbushje në të gjithë segmentin prej 23 km, por nuk është asfaltuar.

Sipas banorëve një shqetësim ngelen gropat si dhe pluhuri, i cili të shoqëron në të gjithë këtë gjurmën.

Ndërkohë administratori i punimeve thotë se punimet janë brenda afatit.

“Për momentin puna po vijon. Kanë përfunduar afro 80% e veprave të artit. Më pas do të vijohet me shtrsat e fundit”, thotë Isa Ukperaj, administratori i punimeve.

Pas segmentit të parë pritet tenderimi i pjesës tjetër të këtij aksi rrugor nga fshati Gjormë deri në Qeparo që lidhet me detin.

Top Channel