Basha: Të presim hetimet. Të gjitha aspektet financiare dhe zgjedhore, si drita e diellit

12/03/2018 19:40

Lulzim Basha deklaroi se nuk ka asgjë që nuk shkon me kontratat e lobimit për mbështetjen amerikane ndaj Partisë Demokratike.

Kreu demokrat ftoi kryeministrin të presë hetimin, ndërkohë që e akuzoi zotin Rama se po përpiqet të lirojë Saimir Tahirin dhe të sabotojë çështjen e 613 kilogramëve kokainë që u kapën në Durrës.

“Kemi qenë ne të parët që kemi kërkuar verifikimin nga prokuroria, të presë Edi Rama verifikimin nga Prokuroria. Dje na doli një lajm që po verifikon edhe FBI-ja. Kur verifikon FBI-ja, zakonisht nuk e di as Presidenti i Amerikës. Në qoftë se është ashtu, të presim hetimin, përse ngutet? Të presim rezultatet e hetimit, por ndërkohë të mos harrojmë se po përgatitet lirimi i Saimir Tahirit dhe po përgatitet sabotimi total i hetimeve të kokainës së Maminasit. Kemi të dhëna dhe denoncime jashtëzakonisht shqetësuese”, tha Basha.

Deklaratat Basha i bëri pas mbledhjes së grupit parlamentar i cili është përgatitur për debatin e së enjtes me kryeministrin për 20 mijë familjet e përjashtuara nga ndihma ekonomike. Një përgjigje dhe për rastet e evidentuara prej tij dhe që zyrat e punës kanë nisur t’u gjejnë punë, sipas videove të publikuara nga kryeministri.

“Mund t’u gjejë punë disave, por nuk mjafton që të shkojë kryetari i opozitës në 20 mijë familje që t’u gjejë punë 20 mijë njerëzve. Pra, është thjesht propagandë”.

Basha pohoi se për situatën politike dhe ekonomike partitë janë problem i madh, teksa ka ngritur sytë nga çatia e tij. Kjo javë vlerësohet si një tregues i parë nëse ka shanse që PD të reformohet pa përçarje.

“Ku çdo demokrate dhe demokrat, të bashkohet rreth vlerave dhe çdo demokrate dhe demokrat të ketë mundësinë të zgjidhet dhe të zgjedhë lirisht përfaqësuesit e ardhshëm të popullit, për t’i shërbyer interesave të tyre dhe të askujt tjetër”.

Grupi i punës që ngriti Kryesia ka nisur kontaktet me zërat kritikë ndaj linjës zyrtare.

Top Channel