6 muaj “Rama 2”, Basha: Shqipëria u certifikua si Kolumbia e Europës

12/03/2018 15:17

Akuzat e mazhorancës në lidhje me financimet për lobimin në Uashington, Lulzim Basha i quan baltosje të opozitës, pasi Edi Rama, siç tha ai, nuk ka asgjë pozitive për t’u treguar shqiptarëve në këtë 6-mujor të votëbesimit të qeverisë së tij numër 2.

“Në këtë 6-mujor u konfirmua se këtu është vendosur një narkoshtet dhe e shndërroi Shqipërinë në atë që të paktën 4 raporte ndërkombëtare e cilësojnë si Kolumbia e Europës, raporte që parapriu një të zeze që ishte certifikimi i Shqipërisë si rrugë tranzit e kokainës drejt Europës”, deklaroi Basha.

Këtë deklaratë Lulzim Basha e bëri në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar demokrat. Ai tha gjithashtu se sasia rekord e kokainës së kapur nga policia në Maminas është vetëm maja e ajsbergut.

“Qindra e qindra kilogramë kokainë kanë kaluar se kanë garancinë e Edi Ramës. Ka 6 muaj që vendin nuk e viziton asnjë investitor i huaj, asnjë ministër ekonomie. E vizitojnë vetëm ministra të brendshëm dhe shefa policie dhe shqetësimi kryesor i Edi Ramës në këto 6 muaj është si të kontrollojë me të gjitha mënyrat dëmin që krimi po i shkakton reputacionit të tij të bjerrë në Europë, ndaj loja e preferuar e tij është sulmi ndaj opozitës”, vijoi kreu i PD-së.

Top Channel