Tre tituj të Serisë A, tre Kupa Italie, 2 finale e Ligës së Kampioneve në 3 vjet. Është ky bilanci i Massimo Allegrit në stolin e Juventusit deri në këtë sezon që nuk ka lënë askënd indiferent në Evropë.

Emri i teknikut livornez po lakohet shumë në kampionatet e Kontinentit të Vjetër, sidomos në Premier Leaguen Angleze. Sipas tabloidëve të ndryshëm në Britaninë e Madhe, sidomos “The Sun”, Allegri mund të jetë pasuesi i Arsene Wenger te Arsenali me italianin që do sfidojë Mourinhon, Guardiolën, Klopp e Conten në kampionatin anglez, gjithnjë nëse transferimi i tij në Londër do të realizohet. Për më tepër emri i Allegrit është përmendur në ambientet e “Topçinjve edhe verën e kaluar, por në fund drejtuesit e Arsenalit vendosën që të vijonin punën me Wenger.

Gjithnjë sipas asaj që shkruhet në median britanike, Allegri është gati të pranojë një transferim në kryeqytetin anglez, ku është edhe Chelsea një skuadër që mund ta tërheqë atë.

Por Allegri nuk ka tërhequr vëmendjen vetëm në Angli, edhe në Francë te Paris Saint Germain situata e tij po monitorohet me vëmendje. Unai Emery do të largohet në fund të sezonit dhe transalpinët kanë nisur kërkimet për atë që do ta zëvendësojë atë dhe trajneri i Juventusit është një prej të përzgjedhurve të sheikëve të Paris Saint Germain.

Por në këtë pikë duket se askush nuk ka marrë parasysh një faktor; vullnetin e vetë Allegrit dhe klubit torinez. Tekniku livornez në të vërtetë nuk ka deklaruar asnjëherë se dëshiron të largohet nga Zonja e Vjetër, ndërkohë që edhe vetë drejtuesit e Juventusit nuk kanë ndërmend të privohen prej tij që do të thotë se për momentin e gjithë kjo histori është në kuadër të zërave spekulativë të merkatos.

Top Channel