TVSH rrit të ardhurat. Mblidhen 20 mln euro më shumë, por rriten shpenzimet

07/03/2018 19:50

Të ardhurat në buxhet u rritën me 7.6 për qind në janar duke sjellë 20 milionë euro më shumë në arkën e shtetit krahasuar me të njëtën periudhë të vitit të kaluar.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se rritja ka ardhur nga një ecuri më e mirë e të ardhurave nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, akcizat, por veçanërisht kontributet e sigurimeve shoqërore.

Të ardhurat nga TVSH dhe akciza, dy taksa që vendosen mbi qarkullimin e mallrave u rritën me 10 për qind krahasuar me vjet, ndërsa të ardhurat e mbledhura nga kontributet u zgjeruan me 18 për qind, falë rritjes së të punësuarve që paguajnë sigurime.

Sipas tabelave zyrtare të Ministrisë së Financave, qeveria e ka shfrytëzuar rritjen e të ardhurave për të shpenzuar më shumë. Në janar shpenzimet totale të buxhetit ishin 227 milionë euro ose 20 për qind më të larta se janari i vitit të kaluar.

Sipas zërave, rritjen më të fortë e kanë shënuar investimet publike, të cilat u trefishuan krahasuar me vjet duke arritur rreth 30 milionë euro.

Megjithatë janari është vetëm muaji i parë i vitit. Për të gjithë 2018-ën Qeveria ka planifikuar që të ardhurat të rriten me 5.9 për qind krahasuar me vjet dhe po kaq edhe shpenzimet, ndërsa defiçiti i buxhetit, pra huamarrja e qeverisë gjatë këtij viti synohet të mbahet në 2 për qind të prodhimit kombëtar, po aq sa vitin e kaluar.

Top Channel