Muzikal për Millosheviçin në Kosovë. Vihet në skenë në Graçanicë

07/03/2018 08:28

Plot 12 vite pas vdekjes gjatë procesit të tij gjyqësor në Hagë për krime lufte, Sllobodan Millosheviçi u rikthye në vendin që e mundoi aq shumë, duke e përçare sërish. Vetëm se këtë radhë, si personazhi i një muzikali të fokusuar më shumë te marrëdhënia e tij me bashkëshorten e fuqishme, Mirjana, të bijën Marijadhe e djalin Marko, sesa politikat që e shndërruan në emër famëkeq.

Shfaqja teatrore “Tregimi i Sllobodanit”, me autore Jelena Bogavac dhe regjisor Nenad Todoroviç, trajton epokën e Millosheviçit në pushtet dhe jetën e njerëzve të zakonshëm në Kosovë, duke kombinuar ngjarjet historike me momentet e jetës personale.

Njeriu i konsideruar si “arkitekti kryesor i konflikteve të përgjakshme” në Ballkan, u përball me mbi 60 akuza për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, gjatë luftrave të viteve ’90, në të cilat humbën jetën mbi 130 mijë vetë.

Muzikali u shfaq në Graçanicën me shumicë serbe, ku udhëheqësit e këtij komuniteti zgjodhën ta bojkotonin shfaqjen. Edhe mjaft shqiptarë nuk pranuan ta shohin atë, që dikush e quajti “ringjallje e Millosheviçit” dhe provokim për familjet e viktimave të luftës.

Por, Todoroviç mendon se, me gjithë paralajmërimet dhe tensionet e krijuara, shfaqja shkoi relativisht mirë. “I them faleminderit Zotit, nuk na qëlloi njeri me vezë e domate”, ishte komenti i regjisorit, i cili shprehet se tentoi të trajtonte në këtë mënyrë atë që e quan “tabuja e fundit serbe”.

Top Channel