Pretendent për “Oscar”, “Three billboards…”, aktivizëm infektues

03/03/2018 22:27

Aktivizmi origjinal i filmit që mbrëmjen e të dielës do të luftojë për të mbërthyer sa më shumë Oskarë që të mundë, ka frymëzuar jo pak në Europë dhe Shtetet e Bashkuara.

“Three Billboards Outside Ebbing, Missouri”, që është nominuar në kategorinë e filmit më të mirë, tregon historinë e një nëne në zi, që përdor pankarta të kuqe dhe të zeza për të turpëruar policinë lokale. Pankarta të të njëjtit stil, janë shfaqur ndërkohë në anë të ndryshme të botës.

Hollivudi është zgjuar me një treshe pankartash, në Los Angelos, që i referoheshin akuzave për abuzime seksuale në industri.

Ndërsa në Europë, ka pasur skenarë të kopjuar në Maltë, Angli dhe Itali…
Protestuesit në Valleta, përdorën dizajnin kuq e zi të pankartave për të kërkuar drejtësi për vrasjen e gazetares investigative Daphne Caruana Galizia.

Në Napoli, aktivistët i përdorën pankartat për të akuzuar ligën e veriut që sipas tyre tani po përpiqet të joshë votuesit në jug të Italisë pasi më herët ata vetëm i kish përçmuar, në pankarta lexohej: Kam thënë se ju vini erë…tani dua votën tuaj…përse jo, jugorë?”

Në Londër, pankartat u përdorën për të protestuar për mungesën e perceptuar të drejtësisë mbi tragjedinë në kullën Grenfell ku zjarri i mori jetën 71 personave.

Top Channel