Shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë? Flet Komandanti i KFOR-it

02/03/2018 21:19

Komandanti i KFOR-it në Kosovë, Salvatore Cuoci, ka folur për idenë e shkëmbimeve territoriale në mes të Kosovës e Serbisë, temë e shumë diskutuar kohëve të fundit në media.

Ai e ka bërë të qartë se misioni i KFOR-it nuk është i përfshirë në bisedime për diçka të tillë, por se nuk e ka mohuar faktin se mund të ekzistojë si ide.

“Ne nuk jemi pjesë e kësaj, nuk jemi të përfshirë në këtë proces. Mund të jetë ndonjë ide. Nuk e di a ma shumë se vetëm një ide, apo vetëm spekulime, por kjo është diçka që mund ta zgjojë situatën, mund të nxisë situata të tjera përgjatë Ballkanit”, ka thënë Cuoci.

“Kështu që kur flasim për shkëmbim të territoreve; kjo është diçka shumë e madhe dhe nuk ndërlidhet vetëm me këto dy vende (Kosovën dhe Serbinë)”.

“Por, natyrisht kjo nuk është në mandatin tonë; ky vendim merret në nivelet më të larta dhe nuk është një vendim që mund të merret, ndoshta, vetëm në Prishtinë dhe Beograd”.

“Gjithsesi, çfarëdo të jetë zgjidhja ne do të jemi këtu për të mbështetur procesin paqësor, pasi çfarëdo që të bëhet, duhet të bëhet në mënyrë paqësore”.

I pyetur se a sheh rrezik të kthimit të së kaluarës në Ballkan, Cuoci ka pohuar se “si bashkësi ndërkombëtare nuk besoj se ndonjë vend do të donte kthimin e të kaluarës”.

Top Channel