Testet e para parasezonale në Formulën 1, të zhvilluara në Montmelo të Barcelonës, u mbyllën nën shenjën e Lewis Hamilton.

Piloti britanik, kampion bote në fuqi, ishte më i shpejti në krahasim me pilotët e tjerë, duke regjistruar kohën 1 minutë, 19 sekonda e 333 të mijëtat.

Kjo kohë është regjistruar në sesionin e pasdites, kur kushtet meteorologjike ishin më të mira sesa paradite, sesion që pa si fitues kolegun e tij te Mercedesi, Valtteri Bottas.

Pas Hamiltonit, në sesionin e pasdites së testeve në Barcelonë u rendit piloti i McLaren, Stoffel Vandoorne, me 521 të mijëtat më shumë sesa britaniku.

Ndërsa Ferrari i Sebastian Vettelit nuk shkoi më shumë sesa vendi i tretë, me pilotin gjerman që shënoi një kohë me 908 të mijëtat më të lartë sesa ajo e britanikut.

Pas Vettelit u pozicionuan Kevin Magnussen i Haasit, Fernando Alonso me McLaren dhe Carlos Sainz me Renault. Botërori i Formulës 1 këtë vit do të nisë në datën 25 mars, me Çmimin e Madh të Australisë.

Top Channel