Ahmetaj: 248 biznese të reja për dy muajt e parë të 2018-tës janë investime të huaja

02/03/2018 12:05

Ministri i Financave Arben Ahmetaj i është përgjigjur me shifra akuzave të bëra një ditë më parë nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për ndërtimet e punësimin.

“Huatë për ndërtim kanë një rritje. Nga dalin këto huatë për ndërtim? Janë të dhënat e Bankës së Shqipërisë këto. Huatë e reja për pasuritë e paluajtshme nga sistemi bankar janë rritur me 7.9%. E dhënë e rëndësishme. Rritja ekonomike është shoqëruar me rritje të punësimit, dhe papunësia në mandatin e dytë mendohet të shkojë në 1 shifror nga 17.6 në 13.6”, tha Ahmetaj.

Ministri i Financave tha më tej se gjatë vitit 2017 janë hapur 14 mijë biznese të reja. Ndërsa vetëm në dy muajt e parë të 2018-tës, janë 2540 biznese të reja, prej të cilave 248 janë biznese të huaja.

“Për të treguar fakte përtej debatit që bën politika, në finale kemi QKB, që na tregon çfarë ka ndodhur konkretisht në ekonominë shqiptare, përsa i përket bizneseve të reja që çregjistrohen dhe regjistrohen. Nuk kemi ngjarje të çuditshme, po normale përmirësim dhe përshpejtim në fondamentet ekonomike”, tha Ahmetaj.

Ai iu përgjigj dhe akuzave për bashkinë e Tiranës, për të cilën tha se lejet e bashkisë për ndërtim në 2014 dhe në 2017 janë pak a shumë në të njëjtat shifra. Konkretisht 24.9 miliardë lekë në 2014 dhe 24.79 miliardë lekë në 2017.

“Inflacioni vazhdon luhatjet e veta normale dhe nuk ka nxehtësi në ekonomi për shkak të prurjeve të mëdha të parave”, tha më tej ministri.

Top Channel