“Brand Albania”, një markë të unifikuar për produktet bujqësore shqiptare

28/02/2018 14:28

Një markë kombëtare në mbështetje të Agrobiznesit dhe Zhvillimit të Turizmit është qëllimi i projektit të USAID dhe CBS, “Brand Albania”.

Projekti do të krijojë një trupë kombëtare për një markë të unifikuar të produkteve bujqësore autentike shqiptare dhe integrimin e tyre në nisma për turizmin.

Shtatë institucione publike dhe private do të bashkërendojnë punën për të zbatuar me sukses Projektin Brand Albania. Partnerët kryesorë si anëtarë të Komitetit Drejtues në Projekt janë Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Shoqata Shqiptare e Turizmit, Dretoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës.

“Ne duam t’ju themi se sa shumë Bashkimi Evropian dhe tregjet ndërkombëtare i kërkojnë dhe i tërheqin produktet tradicionale, të cilat janë të certifikuara për cilësinë dhe standardet e tyre. Pikërisht, ky projekt do të nxjerrë në pah këto cilësi për t’i promovuar produktet autentike shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Ky është një projekt unik i cili ndërthur bujqësinë dhe turizmin, dy sektorë që USAID prej kohësh po i mbështet fort dhe ku ne besojmë, për potencialin e madh që ato kanë. ” u shpreh Drejtuesja e Misionit të USAID në Shqipëri, Dr Catherine Johnson.

Një mundësi të jashtëzakonshme për agro-turizmin shqiptar e cilësoi Ministri i Bujqësisë, z.Niko Peleshi projektin “Brand Albania”.

Ai tha se ky është një projekt i munguar prej kohësh dhe do të shërbejë si vula e identitetit të prodhimeve shqiptare,në nisjen e një rrugëtimi pa kthim drejt të ardhmes së produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.

Nga ana e tij, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Z.Blendi Klosi tha se objektivat janë të qarta dhe se të gjitha përpjekjet po shkojnë për një Shqipëri me turizëm 12 mujor dhe një turizëm që shtrihet nga Veriu në Jug.

 

Top Channel