Arrestohet stomalogia e njohur. Dyshohet se ka përvetësuar 900 mijë euro përmes mashtrimit

25/02/2018 12:16

Dyshimet për mashtrim kanë çuar në pranga një mjeke të njohur stomatologe, të cilës, me vendim gjykate, i është sekuestruar edhe pasuria. Por totali i pasurisë së bllokuar nuk mbulon më shumë se 1/3 e dëmit të shkaktuar.

Olesia Duka, 38 vjeç, stomatologe e njohur në Tiranë, por edhe në fushën e bamirësisë, është arrestuar nga policia me vendim gjykate. Masa e sigurisë u shpall pas dyshimeve se, përmes mashtrimit, stomatologja i ka marrë një biznesmeni shumën prej 900 mijë eurosh. Prokuroria ka nxjerrë një njoftim zyrtar për këtë rast, ku pretendon se stomatologia Olesia Duka i ka përvetësuar shumën prej 900 mijë eurosh një biznesmeni, të cilit i bëhen publike vetëm inicialet e emrit, I.H., përmes gënjeshtrës dhe shpërdorimit të besimit.

Sipas prokurorisë, kallzuesi, i cili është pronar i një zyre këmbimi valutor dhe agjensie udhëtimi, është njohur me stomatologen në nëntor të vitit 2016. Prokuroria thotë se 38-vjeçarja i ka kërkuar fillimisht një shumë të vogël për të blerë pajisje denature, duke u treguar korrekte në fillim në kthimin në kohë të shumave të marra. Por, siç thotë prokuroria, stomalogia ka kërkuar më shumë para’, duke shtyrë muaj pas muaji afatin e kthimit. Në fund, sipas prokurorisë, me këtë skemë, biznesmenit i është shkaktuar në total një dëm prej 900 mijë eurosh.

Prokuroria ka dyshime se në të njëjtën mënyrë janë mashtruar edhe disa persona të tjerë. Me kërkesë të prokurorisë, gjykata urdhëroi sekuestrim edhe ndaj disa pasurive në Tiranë të stomatologes, por edhe të familjarëve të saj, që kapin një vlerë prej 300 mijë eurosh, ose sa 1/3 e detyrimit.

Top Channel