Kryeministri zgjodhi të përsërisë edhe njëherë nga Berati vendimin e qeverisë për të anuluar ndërtimin e Hidrocentraleve mbi kanionet e lumit Osum.

“Ne nuk do t’i vëmë asnjë minë Shqipërisë, në asnjë sekondë, kështu që nuk do lejojmë asnjë lloj vepre industriale, aty ku cënohet e ardhmja e industrisë kryesore”, tha kryeministri.

Në daljen për mediat kryeministri komentoi edhe marrëdhënien e tij me presidentin Meta, me të cilin tha se e lidhin pikërisht kanionet e Osumit.

“Nëse ju keni ardhur deri këtu për të nxjerrë një lajm nëse ka një konflikt mes meje dhe presidentit, ky është zgjedhja më e gabuar për ta bërë këtë. Jemi jo larg kanioneve dhe unë kam edhe detyrimin e mirënjohës ndaj presidentit, që më ka bërë prezantimin e kanioneve dhe me ftesë të tij, kam bërë rafting për herë të parë”, tha Rama.

Qeveria ka zbritur në qarkun e Beratit jo vetëm për mbledhjen e radhës, por edhe për një tur dyditor me takime dhe inspektime. Në Berat kjo vizitë e qeverisë nuk i ka lënë as qytetarët indiferentë, të cilët janë shprehur se presin që qeveria të ndikojë për më shumë vende pune dhe përkrahje për familjet në nevojë.

Një nga vendimet e qeverisë ishte pikërisht krijimi i një fondi social të përbashkët me Bashkitë, që sipas kryeministrit do afrojë shërbimet sociale më pranë qytetarëve dhe komuniteteve në çdo bashki.

Top Channel