“Brenda Parlamentit ne do ta përfundojmë shumë shpejt, është çështje ditësh”, do të theksonte për Top Channel, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në ditën e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Por duket se gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç parashikonte ai.

Ratifikimi i marrëveshjes për shenjimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, që konsiderohet edhe kushti kryesor që po mban peng liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës, po rezulton shumë më i vështirë, e sipas gjasave nuk do të mundet të kalojë në Kuvend.

Seanca e jashtëzakonshme, që ishte parashikuar të mbahej të enjten, u shty fillimisht për të premten, por as sot nuk u arrit gjë. Pas debateve jo pak të nxehta, i vetmi akord mes forcave politike ishte ai, që seanca me një pikë të vetme në rendin e ditës të shtyhej sërish për të mërkurën e ardhshme, në orën 10:00, nisur nga atmosfera aspak e qetë në sallë, por edhe nga pasiguria për ta hedhur në votim marrëveshjen.

“Vazhdimi i seancës së jashtëzakonshme do të jetë të mërkurën në orën 10:00”, do të thoshte përpara deputetëve kryeparlamentari Veseli.

LDK-ja është pro demarkacionit, por thotë se nuk do ta votojë nëse bashkëngjitur do të jetë edhe raporti i Komisionit shtetëror. Në anën tjetër, AAK thotë se do ta ratifikojë Demarkacionin, vetëm nëse projektligjit i bashkëngjitet edhe raporti i Komisionit shtetëror.

Sidoqoftë, edhe nëse PDK, AAK, Nisma, LDK dhe pakicat joserbe bien në një mendje, nuk do të mund të sigurohen 80 votat e nevojshme, pasi subjekti më i madh opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, por edhe Lista Serbe e kanë deklaruar votën e tyre kundër.

Top Channel