Nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Kolë Jakova” kanë mbjellë 70 pemë selvie në oborrin e shkollës së tyre, duke i ndryshuar kështu pamjen.

Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe Lorik Cana ishin në këtë shkollë ku mbështetën nismën e fëmijëve, dhe Veliaj shprehu mirënjohjen që fëmijët iu bashkuan kësaj nisme, duke theksuar se angazhime të tilla janë demonstrimi më i mirë se ata do jenë qytetarë shumë të mirë nesër.

“Revolucion i gjelbër i Tiranës po shkon, jo vetëm në sheshin “Skënderbej”, jo vetëm te Parku i Liqenit apo në rrugët kryesore të qytetit, por edhe këtu, në rrugën e fundit që ndan Tiranën me Kamzën. Jam shumë i lumtur që na janë bashkuar fëmijët më të mirë të qytetit tonë sepse ai që është i mirë, është i mirë në të gjitha: edhe del me dhjeta, edhe mbjell pemë, edhe është një qytetar i angazhuar”, tha ai.

Pemët u dhuruan nga organizata “World Vision”, e cila operon në zonën e Bregut të Lumit. Ajo dhuroi për Njësinë Administrative nr. 11, 70 pemë selvi, duke u bërë pjesë e revolucionit të gjelbër që po përjeton Tirana dhe për të inkurajuar çdo qytetar, sidomos të rinjtë, për të respektuar natyrën dhe të përfshihen në nisma vullnetare në dobi të komunitetit.

Top Channel