Tusk: Pozicioni i Britanisë pas “Brexit”, një iluzion i qartë

23/02/2018 21:55

Pozicioni negociues i Britanisë së Madhe mbi marrëdhëniet e saj me Bashkimin Europian pas “Brexit”-it është i bazuar në një “iluzion të kulluar”, sipas presidentit të Këshillit të BE-së, Donald Tusk.

Duke folur në një konferencë për shtyp pas samitit me udhëheqësit e BE-së në Bruksel, Tusk ishte mospërfillës ndaj marrëveshjes së raportuar si të arritur mes drejtuesve të lartë të kabinetit të ministrave britanikë, në takimin e së enjtes, për të marrë pozicionin e “divergjencës së menaxhuar” në disa sektorë të tregut të përbashkët, por jo për të gjitha.

“Nëse raportimet mediatike janë korrekte, kam frikë se pozicioni i Britanisë sot është i bazuar tërësisht në iluzion. Duket sikur filozofia e tortës është ende gjallë”, tha ai, duke iu referuar dëshirës britanike për ta pasur tortën e për ta ngrënë atë.

“Që prej fillimit kemi pasur një parim bazë. Nuk mund të lejohet marrja e qershive mbi tortë dhe as një treg të përbashkët ‘a la carte’”, shtoi Tusk.

Presidenti i Këshillit të BE-së pritet të takohet me Theresa Mayn në Londër të enjten e ardhshme. Kryeministrja britanike pritet të mbajë edhe një fjalim të rëndësishëm javën e ardhshme për të bërë të ditur pozicionin e Britanisë së Madhe, edhe pse data e fjalimit nuk është caktuar ende.

Tusk tha se Këshilli mund të përfundojë me udhërrëfyesin për negociatat mbi marrëdhënien e ardhshme në mars. “Jam totalisht i bindur se ne do të jemi ekstremisht realistë si union, në vlerësimin tonë mbi atë se çfarë është e mundshme”, tha ai.

Pas përgjigjes së tij, presidenti i Komisionit Jean-Claude Juncker, i pranishëm në të njëjtin panel, u tha reporterëve se nuk mund t’u përgjigjej pyetjeve të tjera, sepse nuk mund të komentojë më qartë përgjigjen e Tuskut. “Presidenti i Këshillit sapo iu ka dhënë një superlajm për nesër”, shtoi ai.

Top Channel