Teatri Kombëtar ekzistues do të prishet, për të ndërtuar një të ri. Por përveç teatrit, do të ketë edhe godina të tjera, në një zonë historike të Tiranës. Por çfarë mendojnë qytetarët?

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se projekti i shumëpërfolur për teatrin e ri kombëtar nuk do të ketë kulla. Sipas Veliajt, godina ekzistuese e teatrit kombëtar sipas raporteve të ekspertëve italianë nuk ka asnjë vlerë monumentale.

“Ne jemi sot në një faze ku kemi marrë një kërkesë, kemi marrë një ofertë për t’u siguruar që ne të kemi një teatër pa kullë, një teatër modern, një teatër që largohet nga tallashi, algat dhe shkrepset skarco me të cilat janë bërë panelet populiste. Një teatër, i cili ka ngrënë jetët e shumë aktorëve. Ky lloj asbesti, se ky është i vetmi vend ku vdesin aktorët. Ndoshta duhet ta vrasim pak mendjen. Teatri sot është në një fazë, turp e faqja e zezë dhe nëse ti thua që kësaj karakatine ne t’i shtojmë të tjera para të taksapaguesve shqiptar, sepse ajo boll para ka ngrenë”, u shpreh Erion Veliaj.

Megjithatë zona ku do të ndërtohet, është një zonë historike e Tiranës. Sot është e rrethuar nga rruga pedonale dhe dy godina të larta. Në krah ka rrugën këmbësore dhe nga ana tjetër një lokal në një godinë tipike tiranase.

Qytetarë të rastësishëm që pyetëm mendojnë se është e nevojshme një fytyrë e re për Teatrin Kombëtar, por nuk janë kurrsesi dakord që aty të ketë edhe kulla.

Burimet thanë për Top Channel se Bashkia e Tiranës po diskuton me kryeministrinë disa projekte, për të përcaktuar variantin final.

Top Channel