Incidenti i regjistruar në Shkodër, me sulmin fizik ndaj trajnerit të Vllaznisë, solli kërkesën e klubit kuqeblu për shtyrjen e ndeshjes së kësaj fundjave.

Situata e tensionuar dhe tronditja që pësoi Ernest Gjoka bënë që edhe Federata Shqiptare e Futbollit të pranonte kërkesën e skuadrës shkodrane.

Diskutimet mes Vllaznisë dhe skuadrës së Luftëtarit, që është organizatorja e sfidës, çuan në zhvendosjen e përballjes së javës së 21-të për të dielën në orën 14:00, gjë që u ra parimisht dakord edhe me FSHF-në.

Ndeshja në Gjirokastër ishte programuar të luhej të shtunën, por agresioni fizik me thikë ndaj trajnerit Gjoka e çoi Vllazninë në kërkesën për të ndryshuar kalendarin.

Në stërvitjen e kësaj të premteje, tekniku i skuadrës shkodrane u paraqit me vonesë, duke ia lënë fillimisht drejtimin ndihmësit të tij, por më pas gjithçka vazhdoi sipas programit në fushën sportive “Reshit Rusi”, aty ku të enjten një person tentoi të godiste Ernest Gjokën me thikë.

Top Channel