Koncesioni për ndërtimin e dy hidrocentraleve mbi Osum u dha në vitin 2013 nga ish-qeveria e Partisë Demokratike. Pas rrotacionit politik të 2013-ës qeveria e re e pezulloi koncesionin duke u zotuar se do ta anulonte atë përfundimisht. Por, ndryshe nga premtimet publike projekti për ndërtimin e hidrocentraleve u riaktivizua në heshtje dhe larg syve të publikut.

Në vitin 2016 Ministria e Energjisë miratoi një koncesion të ri për ndërtimin e dy HEC-eve me shoqërinë HP Bigas Veleshnje dhe më pas qeveria dha edhe lejet e ndërtimit duke i hapur rrugë ndërtimit. Projekti u mbajt në heshtje deri në momentin që skandali u bë publik nga Top Channel duke e detyruar qeverinë të tërhiqet dhe të pranojë se koncesioni është i paligjshëm.

Këtë të premte, Kryeministri Edi Rama u zotua se nuk do të ndërtohet asnjë hidrocentral që dëmton turizmin në vend.

“Jemi të vendosur që në rrugën tonë të përballemi me të gjitha minat e së shkuarës. Nuk do t’i vëmë asnjë minë Shqipërisë në asnjë sektor. Që do të thotë se me HEC-et e trashëguara, siç ndodhi me Valbonën, që ne e minimizuam, por nuk arritëm dot ta neutralizonim plotësisht se do të përballeshim me gjyqe në Arbitrazh që mund të na ndëshkonin rëndë, nuk do të lejojmë asnjë vepër aty ku cenohet turizmi”, u shpreh ai.

Nga Berati, ku u zhvillua edhe mbledhja e radhës e qeverisë, Kryeministri Edi Rama komentoi edhe vendimin për bllokimin e guroreve.

“Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, që udhëheq programin tonë ambicioz të rigjelbërimit të të gjitha territoreve të kafshuara dhe masakruara ndër vite, me shumë prioritet po ndjek gurore për gurore, jo vetëm në Qarkun e Beratit, por në gjithë Shqipërinë. Do të vazhdojmë të bllokojmë gurore dhe çdo kompani dhe sipërmarrje që kërkon të shfrytëzojë malet e kodrat për të nxjerrë gurë duhet të zbatojë të gjitha standardet e kontratave, sepse kontratat janë të qarta dhe standardi është i qartë. Kemi gati planin e rehabilitimit për Krujën e Skënderbeut, të kafshuar nga barbaria e tranzicionit. Gjithë ajo pllajë do të rigjelbërohet. Nuk do të lejojmë me shfrytëzimin e asaj faqeje të malit duke u propozuar kompanive që plotësojnë kriteret të tjera zgjidhje”, tha ai.

Top Channel