Përse përjashtuan peshëngritjen? KOKSH: Nuk promovojmë dopingun

23/02/2018 19:51

Një ditë pas kritikave të ashpra të dy prej peshëngritësve më të mirë të vendit, si Briken Çalja dhe Erkand Qerimaj, në intervistat e tyre në Top Channel, në lidhje me mungesën e vlerësimit nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar mes sportistëve të vitit, KOKSH ka reaguar nëpërmjet një deklaratë për shtyp për të shpjeguar përjashtimin e sportistëve të peshëngritjes nga ajo ceremoni.

“KOKSH i referohet Kodit të Etikës së Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, sipas të cilit ka për detyrë të ruajë dhe të zhvillojë politikat e antidopingut duke respektuar zero tolerancë në luftën kundër dopingut. Për këtë arsye KOKSH nuk mund të promovojë sportistët që kanë përdorur doping”, thuhet në reagimin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.

Të dy sportistët, si Qerimaj ashtu edhe Çalja, kanë rezultuar pozitivë në periudha të ndryshme të karrierës së tyre, por kjo nuk e ka penguar më parë Komitetin Olimpik që t’i promovojë.

Në vitin 2015, i sapokthyer nga shlyerja e dënimit pasi rezultoi pozitiv për doping, Briken Çalja është zgjedhur po nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar si sportisti i atij viti.

Gjithashtu Çalja ishte në Olimpiadën pasardhëse, atë të Brazilit të vitit 2016, pa u penguar as nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, edhe pse në karrierë kishte rezultuar më parë pozitiv për doping. Në atë Olimpiadë, ai mori edhe rezultatin më të mirë në dygarësh, me vendin e pestë me 326 kg, me peshë trupore të barabartë me vendin e katërt.

Vlen për t’u theksuar se vet Komiteti Olimpik i kishte kërkuar Federatës së Peshëngritjes në dhjetor të vitit 2017, dy emra, nga të cilët vetëm ai i Romela Begajt u përjashtua për doping.

Top Channel