Arma e revanshit të McLarenit në Formulën 1 këtë sezon do të jetë në ngjyra portokalli.

Skuadra me seli në Woking prezantoi njëvendëshen që do t’iu besohet pilotëve Fernando Alonso dhe Stoffel Vandoorne, për të lënë shenjë në Botërorin e këtij viti, atë ku favoritët janë të tjerë, por McLareni do të kërkojë të futet në podium.

Vetura e re e realizuar nga Tim Goss e Matt Morris, sipas analistëve do të shenjojë një përmbysje të tendencave, si në ngjyrë, ashtu edhe në rezultate, pas 3-vjeçarit negativ të lidhur me partneritetin me Hondën.

Tashmë motori i ri furnizohet nga Renault dhe, pavarësisht se nuk premton revolucion, paraqet një risi aerodinamike, sidomos në pjesën e përparme.

Ishte pikërisht Renault, çelsi për të mbajtur në skuadër një kampion si Fernando Alonso. Spanjolli do të mbrojë ngjyrat e McLarenit për të katërtin vit radhazi, në një sezon ku do të impenjohet gjithashtu në garat e Le Mansit me Toyotën.

“Jam kurioz të shikoj këtë makinë në pistë, pasi e di sesa rëndësi ka këtë vit për skuadrën. Shpresoj që të shfrytëzoj potencialin në maksimum. Nëse do të arrijmë të mbajmë pikat e forta të sezonit të kaluar, do të bëjmë një hap përpara”, tha Alonso.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel