Rreth 1.5 kg heroinë janë sekuestruar mëngjesin e kësaj të premteje nga policia e Prevezës, e cila arrestoi gjithashtu edhe 3 shtetas shqiptarë.

Të ndaluarit janë një drejtues mjeti, 53 vjeç, si dhe pasagjerët 39 dhe 45 vjeç, që të tre shqiptarë.

Duke shfrytëzuar informacionet për trafik lëndësh narkotike me automjet, policia kishte ngritur një postbllok në rrugën “Ionian”, në zonën malore të Gorgomylos. Policia sinjalizoi ndalimin e një automjeti të dyshuar, por drejtuesi përshpejtoi dhe u kap vetëm pak më tutje, pas ndekjes policore.

Në momentin e ndalimit, njëri prej 3 pasagjerëve u përpoq të largohej mes këmbësorëve, e hodhi drogën e ndarë në 3 pako.

Gjatë kontrollit u sekuestruan 1.5 kg heroinë, një sasi e vogël kokaine, 800 euro dhe 7.000 lekë, si dhe 5 telefonë celularë. Edhe automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Të arrestuarit do të dalin para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë nga Departamenti i Sigurisë së Prevezës.

Në një tjetër zhvillim, dy shtetas të huaj, kombësia e të cilëve nuk bëhet e ditur, u ndaluan këtë të premte nga zyrtarë të Rojes Bregdetare në Igumenicë, që akuzohen për tentativë trafikimi heroine drejt Ankonës, në Itali.

Një 72-vjeçare dhe një 65-vjeçar u arrestuan, pasi qentë antidrogë zbuluan 9 kg heroinë në automjetin e tyre, përpara se të kalonin kontrollet për t’u ngjitur në një traget me destinacion Ankonën.

Droga ishte fshehur në pjesën e poshtme të automjetit, nën sediljet e përparme.

Top Channel