Dy herë brenda pak ditësh nën kontroll. Radio “Catalunya” ka zbuluar se të hënën dhe të enjten, Garda Civile katalanase është ngjitur në bordin e avionit privat të trajnerit të Manchester Cityt, për të kontrolluar nëse gjendej apo jo aty Charles Puigdemont, presidenti i rrëzuar i Katalonjës që jeton në ekzil në Belgjikë, i cili nëse do të rikthehej në Spanjë do të rrezikonte arrestin.

Në të dyja rastet, Puigdemont nuk gjendej askund në bord. Gjithsesi nuk bën aspak çudi fakti që vëmendja e xhandarmërisë spanjolle është përqëndruar te trajneri katalanas, i cili prej kohësh e ka mbështetur hapur kauzën për pavarësinë e rajonit autonom spanjoll, aq sa ka marrë pjesë disa herë në manifestimet pro kësaj kauze.

Guardiola, përveç telasheve në vendlindjen e tij, është vënë përballë sanksioneve edhe nga Federata e Futbollit (në Angli) për shkak se ka shfaqur një mesazh politik me shiritin e verdhë në pjesën ballore të uniformës së tij, simbol i luftës për pavarësi, gjatë ndeshjeve apo konferencave për shtyp prej 1 tetorit, ditës kur u zhvillua referendumi në Katalonjë.

Të hënën e kaluar, me të mbërritur në Aeroportin “El Prat” të Barcelonës, Garda Civile ka pritur zbritjen e prindërve të trajnerit, e më pas ka ushtruar kontroll edhe në automjetin që u përdor për hapjen e shkallëve. Protokoll ky që u përsërit edhe këtë të enjte, kur u inspektuan edhe 4 automjete të tjera.

Top Channel