Autostrada e gropave, çdo ditë aksidente në rrugën Tiranë-Durrës

23/02/2018 15:18

Automjetet që lëvizin në autostradën Tiranë-Durrës dhe anasjelltas, detyrohen të bëjnë manovra të rrezikshme për të shmangur gropat e thella në rrugë.

Edhe këtë të premte firma kontraktore për mirëmbajtjen e rrugës po punonte në disa pjesë të rrugës për mbushjen e gropave duke devijuar trafikun por pothuajse e gjithë rruga është tejet e dëmtuar. Aksi më i rrezikshëm është Vorë-Maminas dhe anasjelltas, me një gjatësi rreth 5 kilometra, vend ku mesnatën e së mërkurës humbën jetën edhe taksisti Bujar Agalliu dhe 23-vjeçarja Eleni Abdilari, makina e të cilëve u përplas me bordurat e një karburanti pasi u godit nga një mjet tjetër.

Sipas burimeve nga policia në këtë aks raportohen aksidente çdo ditë ndërkohë që shqetësimi për gjendjen e rrugës i është përcjellë zyrtarisht me disa shkresa Autoritetit Rrugor Shqiptar. Sipas ekspertëve mbushja provizore e gropave nuk është zgjidhje pasi me kalimin e kohës reshjet e shiut dhe mjetet e tonazhit të rëndë i hapin sërish.

Top Channel