Varfëria i ka mbajtur gjithmonë sytë e shpresës nga politika, por kjo e fundit është interesuar për të sa herë është në opozitë. Shembull i fundit ishte Lulzim Basha, që së bashku me kameran e tij këtë javë shkoi të qante hallet me disa banorë të Kamzës, të cilët kishin humbur ndihmën ekonomike.

“Pa ndihmën ekonomike juve do ua presin edhe dritat, edhe ujin, ose do t’ju marrin e do t’ju çojnë në burg. Kjo është e papranueshme!”, deklaronte Basha.

Edi Rama e di shumë mirë se çfarë efekti kanë mbi opinionin publik lotët e skamjes kur shfaqen në ekran, ndaj dhe reagoi në rastin më të parë.

“Nuk shkon t’ju qajë hallin, por shkon që t’ua marrë vuajtjen dhe ta nxjerrë në televizor për interesat e tij”, deklaroi nga Kuvendi kryeministri Rama.

Historia, jo vetëm ajo e politikës, por edhe e varfërisë, rikujton se të njëjtën gjë bënte Kryeministri i sotëm, kur ende nuk kishte pushtetin. Skenat ishin të ngjashme, kamera opozitare gjithashtu, ndryshonte vetëm Kamza me Paskuqanin.

“Është situatë shumë e rëndë ekonomike dhe sociale. Ndihma ekonomike, aq sa jepet është kthyer në vegël skllavërimi politik”, deklaronte në një familje të varfër në Paskuqan në dhjetor të 2012 Edi Rama.

Në politikë të gjithë ndjehen më të mirë se rivali. Por se çfarë mendon varfëria për politikën, ua tha kolegëve që kanë vite në sallën e Parlamentit një deputet i ardhur rishtazi këtë legjislaturë. Tregoi se nuk ishte i varfër dhe mori përgjegjësi në emër të të dyja krahëve.

“Burimi i varfërisë është politika shqiptare. Jemi ne politikanët, ne këtu në këtë sallë që diskutojmë dhe bëjmë garë se kush është më i ndjeshëm, ne që bëjmë vizita me trasta me ushqime për Vit të Ri nëpër familjet e varfëra dhe i postojmë në Facebook. Ne që zihemi në studiot televizive se kush i ka më përzemër të varfërit, ne jemi shkaku kryesor i mjerimit të një pjese të madhe të shoqërisë”, deklaronte deputeti Agron Shehaj.

Top Channel