“Opera Soul” në tur, orkestra e operas do japë koncerte pa biletë

22/02/2018 19:16

23 shkurti rikthen në sallën e Muzeut Historik Kombëtar ciklin e koncerteve solistike dhe recitaleve me titull “Opera Soul”.

Pas testimit të koncerteve të tilla një vit më parë, në formacione më të vogla artistike, TKOB sjell për publikun koncertin e parë për këtë vit me një formacion më të zgjeruar që përfshin orkestrën e dhomës.

“Ky është një cikël koncertesh që ka filluar TKOB vitin që shkoi. Në vitin e kaluar u përqëndrua kryesisht në recitale apo në formacione shumë të vogla siç janë duot, triot, për t’i dhuruar publikut të Tiranës një panoramë tjetër të asaj që quajmë muzikë,” shprehet Edmond Doko, Dirigjent i Orkestrës së Teatrit të Operas dhe Baletit.

“Vazhdojmë këtë udhëtim të Opera Soul 2 me formacionin e harqeve duke zgjedhur një repertor mjaft special: 2 nga veprat më të njohura të kësaj literature, pra të literaturës për orkestrale. Janë 2 vepra të shkëlqyera dhe për më tepër janë shumë të këndshme për publikun,” shton ai.

Sezoni i dytë i “Opera Soul” përfshin së paku 6 koncerte deri në muajin qershor, një për çdo muaj, ku të gjitha hyrjet për publikun për të shijuar muzikë cilësore nga artistët e TKOB në Muzeun Kombëtar, do të jenë falas.

Top Channel