Europa League/ Kualifikohet Milani, gabimi i Berishës eliminon Atalantën

22/02/2018 23:02

Europa League ka mbyllur ndeshjet e kthimit të raundit të 1/16-ave të finaleve, duke plotësuar kështu të gjithë kuadrin e ekipeve që kualifikohen për më tej, të cilat do të presin ditën e premte të mësojnë kundërshtarët e tyre, pas shortit që do të hidhet në Nion të Zvicrës.

Milani i Gattusos, që e kishte siguruar prej takimit të parë kualifikimin, fitoi edhe në “San Siro” me rezultatin minimal 1-0, falë golit të Fabio Borinit në pjesën e parë. Kuqezinjtë zbrisnin në fushë me një rotacion në formacion, duke parë edhe ngjeshjen e ndeshjeve të këtyre javëve të fundit.

Ndërkohë, një tjetër italiane nuk ka mundur të kualifikohet për më tej, pas eliminimit të Napolit. Atalanta e Etrit Berishës, e cila ishte mposhtur 3-2 në takimin e parë në Dortmund, ishte shumë pranë prerjes së biletës së 1/8-ave, po të mos ishte për një gabim të portierit shqiptar, i cili nuk e largoi topin siç duhej në rrëzim gjatë një aksioni të gjermanëve të Borussias, që shënuan me anë të Marcel Shmelzer.

Bergamaskët kishin shënuar në fillim të pjesës së parë me brazilianin Toloi, por barazimi 1-1 i sheh ata jashtë Europa League.

Një tjetër befasi ishte edhe rezultati në Londër mes Arsenalit dhe suedezëve të Ostersundsit. “Topçinjtë” kishin fituar takimin e parë 3-0 në Suedi, por toleruan shumë në “Emirates”, ku e panë veten në disavantazh të dy golave të shpejtë gjatë pjesës së parë. Por në të dytën, ishte Kolasinaç ai që riktheu qetësinë te londinezët, që kualifikohen për më tej.

Një humbje minimale regjistroi edhe Marseja në Portugali, përballë Bragës, por fitorja e thellë në takimin e parë bëri që marsejezët të kualifikoheshin pa problem në fazën e 1/8-ave. Në këtë tur do të jetë edhe Salzburgu, që mposhti 2-1 Sociedadin, teksa përballja e parë kishte përfunduar në barazim 2-2.

Ndeshja që mbeti e hapur deri në minutat e fundit shtesë ishte ajo mes Bilbaos dhe Spartakut të Moskës, që u mbyll me rezultatin 1-2 për rusët, por me këta të fundit që shpresuan më kot te mrekullia për të shënuar edhe golin e tretë, që do ta çonte ndeshjen në kohët shtesë. Baskët e Bilbaos janë skuadra e fundit e kualifikuar.

FOTO GALERI
1/15

Top Channel