Europa po përgatitet këtë javë për një valë të ftohti, për shkak të erës së akullt siberiane, të cilën meteorologët e kanë pagëzuar me emrin “Burian”.

Reshjet e pritshme dhe rënia e temperaturave, me shumë gjasa do të ketë efekt edhe në futboll.

Federata italiane e Futbollit (FIGC) po përgatitet të shtyjë të paktën disa ndeshje që janë programuar në qytetet veriore, pasi rajonet me më tepër rrezik reshjesh janë Emilia Romagna dhe Marche.

Të shtunën, në stadiumin “Renato Dall’Ara” është programuar të zhvillohet ndeshja Bologna-Genoa, ndërsa të dielën në orën 15:00 do të luhet Verona-Torino, në një qytet që meteorologët kanë parashikuar se do të mbulohet nga bora.

Në të njëjtin orar do të luhet edhe ndeshja Sassuolo-Lazio, në “Mappei Stadium”, ku temperaturat do të jenë pranë zeros.

Ndërkohë, të hënën dhe të martën, temperaturat në Itali do të shkojnë në -10 gradë Celsius në disa zona, për shkak të erërave të forta. Për shkak të fluksit të tifozëve dhe organizimit të ndeshjeve ka nisur që tani aplikimi i një plani emergjence.

Top Channel