Akuza e “Amnesty”: Trump, kërcënim për të drejtat e njeriut

22/02/2018 13:11

Grupi për të drejtat e njeriut, “Amnesty International” akuzon presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për “politika të urrejtjes” dhe e sheh si “kërcënim për të drejtat e njeriut”.

“Presidenti Trump bën veprime që shkelin të drejtat e njeriut në SHBA dhe jashtë”, vlerëson “Amnesty International”.

Në raportin e saj vjetor, organizata e vuri Trumpin në të njëjtin grup me udhëheqësit e Egjiptit, Rusisë, Kinës, Filipineve dhe Venezuelës.

“Spektri i urrejtjes dhe i frikës, tani duket i madh në çështjet botërore. Ne kemi pak qeveri, që mbështesin të drejtat e njeriut në këto kohë shqetësuese”, tha Salil Shetty, udhëheqës i “Amnesty International”.

Në raport, mes tjerash thuhet se politika e Trumpit për t’iu ndaluar hyrjen në SHBA qytetarëve të disa shteteve me shumicë myslimane ka qenë “një veprim transparent i nxitjes së urrejtjes”.

Në mesin e çështjeve të tjera, që nxjerr në dukje raporti i “Amnesty International”, janë fushata e tmerrshme ushtarake e “spastrimit etnik” kundër myslimanëve “Rohingya” në Mianmar; “krimet kundër njerëzimit” dhe krimet e luftës në Irak, Sudanin Jugor, Siri dhe Jemen; shtypjet e komunitetit LGBT në Çeçeni dhe Egjipt, e të tjera.

Top Channel