Bashkia e Tiranës ka nisur bisedimet me përfaqësuesit e Aeroportit të Rinasit për një linjë transporti publik, Tiranë-Rinas me autobuzë elektrikë. Ditën e sotme aeroporti dhuroi dy makineri teknologjike pastrimi për bashkinë dhe 100 pemë.

“Kemi filluar një diskutim me aeroportin e Tiranës, për të pasur një linjë autobusësh elektrikë nga qendra deri në Rinas, e për t’u siguruar që të ulim ndotjen në mjedis. Jemi duke folur edhe me kolegët kinezë; Kina sot është avangardë në prodhimin e autobusëve elektrikë dhe mezi pres që shumë shpejt, brenda këtij viti, për ata që do të udhëtojnë nga Tirana në Rinas të kenë mundësi ta bëjnë këtë duke shkaktuar zero ndotje”, tha Veliaj.

Për dhurimin e dy makinave të pastrimit, kryebashkiaku shtoi: “Na kanë bërë një dhuratë shumë të çmuar, me vlerë monetare të konsiderueshme, sepse kemi dy kamionë teknologjikë që do të ndihmojnë ndërmarrjen tonë të pastrimit të rrisë cilësinë e pastrimit edhe lagjet periferike. Duke shtuar flotën tonë me dy mjete teknologjike, mund të rrisim mbulimin e sipërfaqes në zonat e reja që i janë shtuar Tiranës si “Fresku”, “Astiri”, “Kodra e Diellit” dhe zona të tjera periferike me rritje të popullsisë dhe rritje të konsumit”.

Kryebashkiaku Veliaj shprehu mirënjohjen që Aeroporti i Tiranës iu bashkua aksionit të mbjelljes së pemëve në Tiranë.

Top Channel