Marjana Dila nga Kolonja e Lushnjes prej 28 vjetësh vjen në pavionin e gjakut per t’i dhënë gjak vajzës së saj që vuan nga talasemia. Ajo dhe bashkëshorti shpesh janë bërë pjesë e dhurimit vullnetar, sepse e njeh dhimbjen e çastit kur të thonë se nuk ka gjak.

“Vijmë gjithmonë, hemoglobinën e ka shumë të ulët. Herë gjejmë, herë nuk gjejmë. Vetë kemi dhuruar. Shumë e vështirë është. Pa punë jemi, me të sëmurë jemi”, shprehet Marjana Dila.

Dhurimet vullnetare janë të pakta, por shpresat nuk janë shuar. Ky i ri 21 vjeç ka ardhur vullnetarisht te jap gjak për të sëmurët.

“Kam ardhur për të dhuruar gjak, sepse kam dëgjuar që ka mungesë gjaku”, u shpreh një vullnetar.

Situata e furnizimit me gjak është përmirësuar pak në krahasim me një vit më parë. Falë dhënies së qeseve të gjakut nga qendra kombëtare e transfuzionit të gjakut në Tiranë është zgjidhur problemi i talasemikëve nga rrethet në jug të vendit.

“Situata është përmirësuar disi, për shkak se të sëmurit e Fierit i ka ndihmuar Qendra Kombëtare e Transfusion. Të premten e kaluar kanë sjellë gjak për 20 persona. Dhurimet vullnetare janë shumë të ulëta”, shprehet Arjana Zaka, shefe qendrës së talasemisë në Lushnjë.

75 persona vuajnë nga talasemia në Lushnje. Çdo muaj mjekohen në këtë qendër spitalore, por numri rritet sepse këtu marrin gjak edhe pacientët nga Fieri, Berati, Vlora dhe Kuçova. Problemi i furnizimit me gjak është shqetësues pasi deri tani po mbështeten vetëm të dhurimet familjare.

Top Channel