Ermal Meta “pushton” skenat muzikore në Itali

20/02/2018 14:13

Në pritje të nisjes së turneut të tij i cili nis nga Forumi i Assago në Milano më 28 prill, këngëtari shqiptar i cili rezultoi fitues në festivalin e muzikës italiane, tashmë ka bërë një bilanc pas fitores në Sanremo.

Kënga fituese “Non mi avete fatto niente” ka shënuar rekord në top listat muzikore, duke mbetur kështu më e preferuara në radio, ndërkohë që albumi i tij i tretë solo “Non abbiamo armi”, është ngjitur shumë në renditjen e listave muzikore.

“Jam i kënaqur, veçanërisht në marrëdhënien me njerëzit,” tha këngëtari gjatë një interviste televizive.

“Non mi avete fatto niente”, ka fituar vendin e parë në aplikacionin iTunes, ndërkohë që renditet e para në Top 50 hitet e momentit në Itali.

“Pas Sanremos çdo gjë po shkon shumë mirë në radio, me shitjen e disqeve, por sidomos me njerëzit, dhe kjo është ajo që ka më shumë rëndësi. Përveç një “furtune” që më erdhi pas festivalit. 2017 ka qenë një vit shumë i frytshëm. ”

Jo vetëm për muzikën, por Ermal i është përgjigjur edhe thashethemeve rreth lidhjes së tij të dyshuar me Fabrizio Moro, me të cilin ndau suksesin në skenë.

Mesazhi i tij në rrjetet sociale ishte i qartë: “Djema, kam ironizuar në lidhje me disa thashetheme të cilat qarkullonin në media, por pa u ndier i fyer. Homoseksualiteti nuk është diçka nga e cila duhet të mbrohesh. Por vetëm se mua më pëlqejnë femrat, ashtu sikurse i pëlqejnë edhe Fabrizios. Nëse ndonjëherë do ndryshojë diçka iu premtoj se do ua shkruaj në rrjetet e mia sociale. #vivalamore”.

Top Channel