Ishte 20 shkurti i vitit 1991, kur në qendër të Tiranës u rrëzua busti i Enver Hoxhës, simboli më i madh i diktaturës në Shqipëri.

Komunizmi për të rinjtë duket diçka e largët, ndaj edhe organizatorët e ekspozitës “Komunizmi në epokën e tij” me qëllimin për t’i dhënë rëndësi kujtesës kolektive, sjellin në Muzeun Historik Kombëtar një ekspoze të periudhës komuniste, pikërisht në pavijonin e diktaturës.

“Ballafaqimi me të shkuarën merr kuptim vetëm nëse ne e sjellim atë në kontekstin e sotëm, sidomos për të rinjtë që janë këtu sot me shumicë dhe që nuk e kanë përjetuar atë kohë e që për fat të keq nuk kanë mundur që gjithë këto vite të demokracisë të marrin më shumë informacione në kurrikulën e tyre shkollore”, u shpreh Jonila Godole, Drejtore e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulture.

Fatos Lubonja është një nga dëshmitë e gjalla, që i ka mbijetuar tmerreve të komunizmit.

“Në vitin 1978, në burgun e Spaçit, ku kam qenë unë, 2 gazetarë dhe 1 intelektual i shkruajtën nga një letër Partisë së Punës, kundër vijës që po ndiqte Enver Hoxha në atë kohë. Për këto letra diktatori nuk u mjaftua me dënimin me 10 vite burg, siç ishte neni për Agjitacion dhe Propagande, por vendosën t’i dënojnë me vdekje. Në thelbin e vet stalinizmi nëse mund ta sintetizojmë me një fjalë është egërsia maksimale e regjimit të terrorit”, tha Fatos Lubonj, ish-i dënuar politik.

“Kjo na bën ne që ta kthejmë kokën pas e të shohim: A ka ngjashmëri me kohën e sotme? Sidomos po të shohim pushtetin, sidomos po të shohim qeveritë e pas ’90-es në Shqipëri se si e kanë bërë politikën e tyre?”, tha Jonila Godole.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 28 shkurt.

Top Channel